Deputeti i CDU-së: Pritshmëritë për PD-në janë të larta, është koha për bashkim për integrimin e vendit në BE

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 12:39 | Politikë

Deputeti i CDU-së: Pritshmëritë për PD-në janë

Deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU, Peter Beyer, i është drejtuar Kuvendit të Partisë Demokratike me një mesazh mbështetjeje, duke theksuar pritshmëritë e larta të partisë së tij dhe të Europës për opozitën shqiptare.

Në mesazhin e tij, Beyer theksoi se Shqipëria përballet me sfidën e madhe të integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa apeloi për bashkim në të mirë të vendit.

“Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta. Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal. Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian”, apeloi ai.

Beyer nënvizoi gjithashtu nevojën për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se PD duhet të ofrojë një alternativë të besueshme qeverisëse për të ardhmen e Shqipërisë.

“Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ju e dini këtë shumë më mirë se unë, duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të jeni e të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë, një udhëheqje që me të vërtetë i hap rrugën vendit tuaj drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur”.

Mesazhi i plotë i Peter Beyer

I nderuar zoti President, i nderuar Dr. Sali Berisha, delegatë, të ftuar, miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Emri im është Peter Beyer dhe jam anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, në Berlin.

Më vjen keq që nuk mund të jem sot me ju në këtë kongres të rëndësishëm të partisë suaj, por angazhimet kohore më pengojnë të jem pranë jush fizikisht. Megjithatë, me mendje dhe me zemër jam me ju.

E vlerësoj këtë mundësi që të paktën t’ju drejtohem me disa fjalë.

Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur.

Sa i përket sfidave që ju presin përpara dhe përgjegjësisë që vjen me to, dua të them sa vijon;

Vendi juaj, Shqipëria juaj e mrekullueshme dhe e dashur, përballet me një sfidë shumë të madhe; rrugën drejt Bashkimit Europian.

Pas pak javësh, do të mbahet në Mal të Zi samiti Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor. Edhe përfaqësuesit e shtetit tuaj do të jenë të pranishëm atje, por ju duhet t’i mbani nën vëzhgim.

Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta.

Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal.

Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian.

Gjithashtu, kur bëhet fjalë për Shqipërinë – ju e dini këtë shumë më mirë se unë – duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të jeni e të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë, një udhëheqje që me të vërtetë i hap rrugën vendit tuaj drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur.

Me këtë rast, ju uroj një kongres partiak shumë të suksesshëm.

Partia Demokratike e Shqipërisë është e dashur për zemrën time dhe ju përcjell urimet dhe përshëndetjet më të mira nga CDU-ja, Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë, drejt Tiranës.

Faleminderit shumë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos