PPE mbështet PD-në, Dolors Montserrat: Synimi është rikthimi në pushtet i demokratëve dhe në BE

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 12:33 | Politikë

PPE mbështet PD-në, Dolors Montserrat: Synimi është rikthimi

Edhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane (PPE), Dolors Montserrat, ka përcjellë një mesazh në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Përmes një video-mesazhi, ajo u shpreh se PPE mbështet modernizimin e PD-së dhe synon rikthimin e saj në pushtet, duke theksuar se Shqipëria duhet të forcojë demokracinë dhe të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Ne duam t’ju shohim në qeverinë e Shqipërisë… dhe ta çojmë vendin drejt BE-së”, u shpreh Montserrat, duke shtuar se familja e PPE-së qëndron pranë PD-së në këtë proces.

Fjala e plotë e Dolors Montserrat

Së pari, për mua është një nder të jem sot me ju në këtë kongres të rëndësishëm të PD-së.

Unë jam në Shqipëri ndërsa po regjistroj këtë video, sepse këtë javë kam qenë me ju, me Dr. Berishën dhe me të gjithë miqtë e mi të PD-së këtu në Shqipëri. Por duhet të largohem për në Barcelonë, ndaj kjo është arsyeja pse nuk mund të qëndroj këtë fundjavë me ju.

Por e di sa i rëndësishëm është ky kongres. Pse? Sepse ju po modernizoni gjithë partinë. Dhe pse? Për t’u bërë më të fortë, për të fituar zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, sepse ne duam t’ju shohim në pushtet, në qeverinë e Shqipërisë.

Sepse Shqipëria ka nevojë të jetë një demokraci e plotë, të luftojë kundër të gjithë narkotikëve, mafieve dhe krimit të organizuar, t’u rikthejë të gjithë qytetarëve shqiptarë besimin tek kjo komb i madh që është Shqipëria, dhe ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Dhe ju e dini që unë dhe Manfred, Manfred dhe unë, në emër të të gjithë familjes së PPE-së (EPP), ju mbështesim të gjithëve.

Prandaj përgëzoj për këtë kongres të madh Dr. Berishën dhe gjithë ekipin tuaj në këtë fazë të re. Por sigurisht, ju keni gjithë ne, gjithë familjen e PPE-së, për t’ju ndihmuar, për t’ju mbështetur, për të qenë me ju, për të rikthyer sërish në pushtet parimet e lirisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit për këtë vend të mrekullueshëm.

Shihemi së shpejti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos