"PD po u bie kokës partive të vogla me kodin zgjedhor" - Hasimja: Ditën negocion me ta, natën marrëveshje me Ramën

Nga A2 CNN
13 Janar 2026, 21:56 | Politikë

Analisti Ermal Hasimja ka kritikuar strategjinë e Partisë Demokratike ndaj partive të vogla opozitare, duke e cilësuar të paqëndrueshme dhe kontradiktore. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Hasimja u shpreh se PD ndodhet në një paradoks politik: nga njëra anë kërkon bashkëpunim me forcat e reja, ndërsa nga ana tjetër negocion me Partinë Socialiste ndryshime në Kodin Zgjedhor që, sipas tij, “u bien kokës” pikërisht këtyre partive.

Sipas Hasimjas, PD ka më shumë nevojë se kushdo tjetër për bashkëpunim opozitar, pasi është forca më e madhe, por nuk është e gatshme të bëjë lëshime apo sakrifica reale. “Nuk ka kuptim të kërkosh bashkëpunim me partitë e vogla dhe, në të njëjtën kohë, të biesh dakord me PS-në për ndryshime në Kodin Zgjedhor që i dëmtojnë ato”, theksoi ai.

Analisti vlerësoi se do të ishte politikisht dhe moralisht më e ndershme që PD, për sa kohë kërkon aleanca, të shtrinte dorën ndaj partive të reja, sidomos në çështje jetike si Kodi Zgjedhor. Ai shtoi se këto parti sjellin vota që nuk do të shkonin kurrë drejt PD-së, duke krijuar një potencial më të madh opozitar.

Hasimja kritikoi edhe mungesën e strategjisë së përbashkët në opozitë, duke theksuar se, përballë një qeverisjeje që e cilësoi “jashtëzakonisht të dobët”, problemi kryesor mbetet mungesa e bashkëpunimit real opozitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos