
Një ditë pasi kërkuan në shesh largimin e kryeministrit, demokratët u ulën në tryezë me socialistët e Edi Ramës në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.
Bashkëkryetari i PD, Luçiano Boçi, e nisi fjalën për të justifikuar politikisht praninë e tyre si në komision, ashtu edhe në bulevard.
Demokratët dhe socialistët janë në një mendje në një pikë: që duhet një reformë e re territoriale.
Precedentët në Parlament e bëjnë skeptike PD për sinqeritetin e PS. Për këtë arsye, kërkuan garanci që në fund PS të mos përdorë numrat në Kuvend për të kaluar një draft vetëm të tyrin, shkruan A2 CNN.
Garanci që nuk arritën t’i vulosnin. Të majtët dhe të djathtët ndahen në thelb të kësaj reforme: mazhoranca synon më pak bashki, ndërsa opozita më shumë. Edhe pse mbledhja ishte me tone të qeta, nuk u arrit të miratohej plani i punës, duke e shtyrë për të hënën.
Sipas draftit të propozuar nga socialistët, dokumenti final duhet të depozitohet deri në qershor në Kuvend, pasi të zhvillohen dëgjesa në 12 qarqe, si dhe takime me ndërkombëtarët dhe grupet e interesit.
Gjithashtu, në planin e punës është parashikuar edhe një sondazh publik, përpara se të prezantohen 2–3 variante të ndarjes territoriale-administrative. (A2 Televizion)