Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ka reaguar në rrjetet sociale për protestën e opozitës, ku në fund të saj ai përfundoi në spital, sipas tij për shkak të dhunës së policisë.
Gjekmarkaj shprehet se nuk u ndje keq rastësisht po u dhunua në mënyrë brutale nga disa efektivë policie, ndonëse iu prezantua kush ishte.
Reagimi i plotë i Gjekmarkaj:
Nuk do të kisha reaguar për sa ndodhi dje me mua në protestë, nëse policia e shtetit nuk do të më fyente me deklaratën e vet publike e dizinformuese!
Nuk e pëlqej as e kërkoj viktimizimin! Madje, kurrë në jetën time nuk kam kërkuar as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjëherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjendur para një makine të vogël, bashkë me shoqëruesin tim, punonjës i Gardës, i cili u keqtrajtua gjithashtu, ndonëse u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policësh! Ju thashë mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, Nënkryetar i Kuvendit të Republikës, deputet, pedagog në Universitet, me butësi dhe gati me humor, nuk shquhem për forcë fizike, nuk bëj palestër, ndaj bëni kujdes! Më shtynë brutalisht, me shumë forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke më ngritur gati në ajër! Më tërhoqi shoqëruesi me shumë mundim dhe një djalë nga Lezha përmes policëve, teksa ndieja frymëmarrjen që po më ngadalësohej! Sapo dola nga turma e policëve, duke më tërhequr të tjerët, humba ndjenjat! Nuk u ndieva keq për shkak të problemeve me shëndetin, por si pasojë e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta sepse desha të largohem, por më detyruan. Nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtëpi, por në spital!
Më ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy-tri oficerëve të policisë, zelli i tyre si dikur në motin kur arrestoheshin deputetët e opozitës në 1946. U dukej e padrejtë që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre, sepse ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi, ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik!
Përfitoj nga ky rast i trishtë për të falenderuar të gjithë ata që më gjendën pranë, protestuesit, demokratët e qytetarët e Lezhës, drejtuesit dhe deputetët e PD, mjekët e spitalit ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe shërbimin, falenderoj qendrat, miq dhe të njohur nga vendi e bota për atë lumë mesazhesh që kam marrë prej tyre ende në pamundësi për t'u kthyer përgjigje individualisht!
Shpreh keqardhje të thellë për të gjithë të lënduarit e të ndaluarit, të cilët përpiqen për një Shqipëri më të mirë dhe që nuk morën vëmendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!
Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve! Qofshin ato të bardha për ju dhe të gjithë shqiptarët! Të tjerat do të jenë më të mira! (A2 Televizion)