Për shkak se godina e Presidencës është në rikonstruksion, Kreu i Shtetit Bajram Begaj e priti Kryeministrin Rama në Pallatin e Brigadave.
Edi Rama i çoi në tryezë Presidentit 7 ndryshimet në qeveri të lajmëruara të enjten e shkuar në të njëjtën godinë në mbledhjen e grupit parlamentar jashtë kamerave dhe pa shumë shpjegime.
Albana Koçiu do të zëvendësojë Belinda Ballukun në detyrën e zëvendëskryeministrit, Ministrin e Drejtësisë do ta drejtojë Toni Gogu, ndërsa Besfort Lamallari do të rikthehet në Ministrinë e Brendshme, por tashmë si titullar.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukun do të zëvendësojë një ish-vartësi i saj, i cili ka qenë në krye të OSHEE, Enea Karakaçi. Ministrinë e Jashtmë nuk do ta drejtojë më Elisa Spiropali, por ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha.
Ermal Nufi, i cili ka shërbyer si zv/sekretar i Përgjithshëm e kryeministrit do t’i marrë karrigen e Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vëngut. Ndërsa si Ministre Shteti për Marrëdhënien me Parlamentin Rama ka zgjedhur deputeten e Vlorës, Eriona Ismaili.
Kreu i Shtetit ka 7 ditë kohë për të dekretuar apo refuzuar ndryshimet në qeveri, edhe pse burime pranë mazhorancës socialiste, emrat e rinj pritet të kalohen në seancën plenare të 5 marsit. Pas miratimit në Parlament, 6 ministrat e rinj dhe zv/kryeministrja do të betohen mbi Kushtetutë para Presidentit Bajram Begaj që të marrin zyrtarisht detyrën. (A2 Televizion)