
Kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimin e turizmit shqiptar dhe projektet e investimeve në sektor, gjatë takimit me diasporën shqiptare në Nju-Jork. Kreu i qeverisë vuri në dukje se projekti i Sazanit dhe Zvërnecit kanë një potencial të madh ekonomik. Sipas tij vetëm projekti në Zvërnec mund t’i sjellë Shqipërisë më shumë 4 miliardë euro.
“Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të, një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro”, deklaroi ai.
Rama krahasoi vlerën e projektit me madhësinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se investimi i parashikuar është i konsiderueshëm.
“4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Ju i bëni vetë llogaritë më mirë. Është një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, tha kryeministri.
Megjithatë, Rama pranoi se përmasat e projektit ngrenë edhe çështje të rëndësishme sa i përket ndikimit në mjedis. Ai tha se qeveria po punon për një studim të detajuar të impaktit mjedisor, me synimin për të identifikuar rreziqet reale që mund të sjellë projekti.
“Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin dhe për këtë arsye, ne po punojmë shumë intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se synimi është të përcaktohen qartë rreziqet që mund të shkaktojë projekti, duke kritikuar njëkohësisht informacionet që, sipas tij, qarkullojnë në rrjetet sociale.
“Për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish”, deklaroi Rama.
(A2 Televizion)