Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, nga studioja e emisionit ''Off the Record'' nga Andrea Danglli, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së forcave të rendit gjatë tubimeve të fundit, duke kërkuar një reagim të barabartë nga ana e protestuesve. Duke u nisur nga qëndrimi i kryetarit Sali Berisha për një "kryengritje paqësore", Baçi theksoi se dhuna e ushtruar nga policia duhet të marrë një përgjigje në të njëjtën masë.
“Përgjigjja proporcionale duhet të jetë me atë sjellje çfarë bën policia”, u shpreh deputeti, duke denoncuar ato që ai i quan ndërhyrje të dhunshme të parapërgatitura. Sipas tij, policia ndërhyn dhunshëm edhe pa pasur veprime provokuese nga protestuesit, duke kryer arrestime të pafundme dhe të pajustifikuara. Baçi ngriti shqetësimin se, ndërsa deputetët kanë "luksin e bërjes mediatike", pesha më e rëndë e goditjes bie mbi qytetarët e thjeshtë.
“Për mua nuk është lajm fare dhe nuk duhet bërë lajm goditja apo përplasja që bëjnë deputetët; lajm është përplasja që bëjnë qytetarët dhe arrestimet e tyre”, tha ai. Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu sistemin e drejtësisë për mbajtjen në burg të protestuesve në mënyrë të paligjshme, duke pretenduar se shumë prej tyre janë ndaluar në trotuare pa asnjë fakt apo provë, e madje disa pa qenë fare pjesë e protestës.
Në mbyllje të fjalës së tij, Baçi nënvizoi se është e vërtetuar "katërcipërisht" që arrestimet janë të paligjshme, ndërsa bëri thirrje për rezistencë ndaj asaj që ai e konsideroi si dhunë të pajustifikuar të urdhëruar nga kreu i qeverisë. (A2 Televizion)