Berisha sulmoi zyrën e Ramës, Krasniqi për protestën: S’ka kuptim, kryeministri ishte në Spanjë

Nga A2 CNN
20 Prill 2026, 20:32 | Politikë
 

Politologu Afrim Krasniqi komentoi zhvillimet e fundit politike dhe protestën e opozitës, duke kritikuar mënyrën e organizimit të saj. Duke iu referuar aksionit të ndërmarrë nga mbështetësit e Sali Berishës para Kryeministrisë, ai theksoi se sulmet ndaj godinave shtetërore nuk janë rruga e duhur për përballje politike.

Krasniqi u shpreh se protesta duhet të fokusohet tek alternativa politike, ndërsa nënvizoi ndër të tjera se kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në vend në momentin e zhvillimit të tubimit. 

Po ashtu politologu, duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, tha se modele në lidhje me formën si duhet të organizohet një protestë mund të jenë vende si Hungaria, apo Bullgaria, ku protestat kanë qenë masive, qytetare, duke sjellë një trend dhe mentalitet të ri. 

Partitë politike mos godasin ndërtesat shtetërore por të merren me kundërshtarët politikë. Z.Berisha ka qenë në atë zyrë 12 vjet. Nuk ka kuptim, nuk është zyra fajtore, nuk është godina fajtore, kryeministri ishte në Spanjë dhe mund të gjente një formë tjetër proteste, më kreative, që tërheq të rinjtë, dhe që jep qytetari dhe po shohim modele, në Hungari, Bullgari, edhe Rumani së fundmi, protesta qytetare, trend i ri, mentalitete të reja, forma të reja, ndërsa aty duket sikur koha ka ngelur në vend dy dekada, prandaj edhe ka këtë lloj produkti”, tha ai.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos