Berisha: Rama sulmoi protestuesit si Asadi në Siri! Kryengritjen e radhës paqësore, përgjigjja jonë do jetë proporcionale

Nga A2 CNN
20 Prill 2026, 20:03 | Politikë

Berisha: Rama sulmoi protestuesit si Asadi në Siri! Kryengritjen e

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot ashpër ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së opozitës, duke i krahasuar ato me praktika të regjimeve autoritare në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë nga foltorja e Partisë Demokratike, ai përmendi ngjashmëri me veprimet e regjimit të Bashar al-Assad në Siri dhe ato të Saddam Hussein në Irak, ndërsa theksoi se pamje të tilla nuk janë parë në Europë, raporton A2CNN.

Po ashtu kreu i selisë blu akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm dhe drejtues të Policisë së Shtetit për atë që ai konsideroi si "dhunë e narkopolicisë". 

Por ditën e premte, shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë u përballën me pamjet më të shëmtuara, me pamje që të kujtonin sulmet e Asadit mbi popullin e tij. Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve. Me pamje të qytetarëve të mbytur nga helmi, me pamje deputetësh që dergjeshin përtokë të asfiksuar me spraj toksik ariu të hedhur nga kriminelë të pafytyrë. Mirëpo këto pamje, që qarkulluan të premten në Shqipëri dhe në mbarë botën, nuk ishin as nga Siria, as nga Iraku, por nga Shqipëria në zemër të Europës. Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese”, tha Berisha.

Ndodh që në Europë të bëhen protesta. Ndodh në Francë, Bruksel dhe kudo. Ndodh ndonjëherë që këto protesta të jenë të dhunshme. Kemi parë pamjet dhe institucionet e dëmtuara, dyqane private që digjen, madje dhe grabiten. Por kurrë nuk janë parë në Europë pamje ku protestuesit të dhunohen ashtu siç u dhunuan qytetarët shqiptarë ditën e premte. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, protesta e të premtes, ashtu si dhe të tjerat, nuk pati asnjë përdorim dhune, asnjë ushtrim dhune nga protestuesit paqësorë. Në momentin që unë përfundova fjalimin, narkokriminelë, policë me uniformë janë lëshuar si kafshë, si shtazë kundër protestuesve, jo sikur të ishin shqiptarë apo njerëz në fund të fundit, por sikur të ishin hasmi më i rrezikshëm i këtij vendi. Po pse kjo dhunë e narkopolicisë dhe banditëve të saj? Sepse Edi Rama, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, etj, me vetëdije të plotë helmuan qytetarët të kapur nga një frikë e tmerrshme në shpirtin e tyre të zi”, vijoi ai.

Kreu i PD paralajmëroi se protestën e radhës përgjigjia e protestuesve do të jetë proporcionale. 

"Ne nuk dorëzohemi. Protestën e ardhshme përgjigja jonë në kryengritjen tonë paqësore do të jetë proporcionale, banditë dëgjojeni, me dhunën e pajustifikuar që na u bë", tha Berisha.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos