
Tre ditë para protestës së parë kombëtare, Sali Berisha, thirri në takim aleatët. Qëllimi i këtij takimi, siç edhe Berisha e pohoi vetë, ishte për t’u thënë aleatëve se duhet të dalin në krah të drejtësisë, në një kohë kur jo e fundit kërkon arrestimin e numri dy të qeverisë.
“Ndër të tjera synon t’u shprehë mbështetje të plotë atyre që zbatojnë ligji në këtë vend”, tha Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.
Por aleatëve u kërkoi edhe mbështetje për protestën e së hënës, duke pohuar se në skenar nuk përjashtohet as greva e urisë.
“Protestat tona do të diversifikohen me greva, me greva urie, me të gjitha format, në qoftë se ne përmbushim misionin tonë. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim. Të gjithë ne duhet të kemi të qartë se me këtë regjim është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme”.
Pas takimit me aleatët, Berisha doli para gazetarëve, këtë herë për të treguar detaje nga dosja e SPAK për AKSHI-n.
“Çdo e dhënë për çdo shqiptar, çdo e dhënë për sigurinë kombëtare të këtij vendi, anëtar i NATO-s, siguria kombëtare e Shqipërisë është siguri kombëtare në sistemin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të gjitha pa përjashtim, në një bashkëpunim kriminal të AKSHI-t, që është database i të gjithë të dhënave, janë disponuar nga Ergys Agasi, Fatmir Troplini, Elvis Doçi, Suel Çela, kartelet shqiptare të drogës në Amerikën Latine”.
Kjo sipas Berishës ka cenuar sigurisë kombëtare, ndaj kërkoi edhe njëherë dorëheqjen e kreut të qeverisë. I pyetur nga mediat lidhur me protestën e 22 Dhjetorit, ku qëllimi është largimi i Ramës, Berisha sqaroi deklaratën për grevën e urisë.
“Ka revolta paqësore të cilat kanë oshilacionet e tyre dhe grevat, nuk thashë se do hyjnë në grevë deputetët. Jo. Por janë të gjitha opsionet të hapura”. (A2 Televizion)