Imuniteti i Ballukut, debat për USB-në me prova në Këshillin e Mandateve

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2025, 13:04 | Politikë

Imuniteti i Ballukut, debat për USB-në me prova në Këshillin

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve po shqyrtohet kërkesa për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ku në fokus janë provat e paraqitura nga SPAK. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur për A2 CNN se avokati i Ballukut ka kërkuar të njihet me të gjitha aktet e dosjes, përfshirë edhe materialet e depozituara në USB.

Sipas burimeve, avokati ka insistuar që të ketë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, duke kërkuar akses të plotë për shqyrtimin e provave.

Ndërkohë, prokurorët e SPAK po diskutojnë kërkesat e opozitës dhe të mbrojtjes ligjore lidhur me mënyrën e administrimit të provave.

A2 CNN raporton se opozita ka kërkuar që USB-ja me provat të merret jashtë sallës së mbledhjes për t’u shqyrtuar në mënyrë të detajuar, ndërsa mazhoranca ka kundërshtuar këtë kërkesë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka theksuar se dokumentacioni nuk duhet të dalë nga mbledhja e Këshillit të Mandateve. Balla u ka thënë demokratëve që provat (USB) ta shohin në mbledhje dhe të mos i marrin me vete.

Burime bëjnë me dije se prokurorët kanë sqaruar se materiali i USB-së mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, duke respektuar procedurat ligjore.

Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se Prokuroria ka dhënë dakordësinë që edhe avokati i Ballukut të njihet me provat.

Po ashtu, është diskutuar edhe mundësia e shtyrjes së mbledhjes për t’u dhënë kohë palëve të shqyrtojnë materialet. Edhe avokati i Ballukut ka kërkuar shtyrje të mbledhjes.

Prej orës 10:30 në Kryesinë e Kuvendit po mbahet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos