Partia Socialiste nuk pranon që mbledhja e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, të zhvillohet e hapur për mediat, shkruan A2 CNN. Kërkesa për të zhvilluar një mbledhje të hapur erdhi nga Partia Demokratike.
A2 CNN mëson se kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, kërkon që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun, si dhe të marrin pjesë të gjithë deputetët. Gjithashtu të vihen në dispozicion provat, pasi deri tani nuk janë vënë.
Kërkesa e Bardhit është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me argumentin se është sekret hetimor dhe në mbledhje duhet të jenë vetëm anëtarë e Këshillit. Gjithashtu sipas Peleshit edhe seanca duhet të jetë e mbyllur.
Debatet lidhur me këtë procedurë kanë bërë që të mos nisë ende dëgjimi i pretendimeve nga ana e prokurorëve të SPAK. Në Kuvend kanë mbërritur dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të shoqëruar edhe nga kreu i ri i institucionit, Klodian Braho, i cili është në ditën e parë të mandatit të tij si drejtues.
Ndërsa zëvendëskryeministrja Balluku nuk është e pranishme, aty ndodhet vetëm përfaqësuesi i saj ligjor, Ardian Kalia. (A2 Televizion)