Mesazhet e javës Edi Rama ia kushtoi ekonomisë dhe integrimit. Në podkastin kryeministror “Flasim” kreu i qeverisë vijoi të jepte versionin e tij se integrimi në bashkimin europian është një proces që nuk ka mbetur në vend, duke hedhur poshtë qëndrimet e rivalëve politik se BE-ja tashmë na ka mbyllur derën.
“Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor”, tha Rama.
Sipas opozitës, integrimi në Bashkimin Europian ka mbetur në vend numëro për shkak të korrupsionit, por për Edi Ramën, lufta ndaj korrupsioni është një sukses qeveritarë i cili dëshmohet edhe në shifrat e të parave që ka grumbulluar arka e shtetit.
“Gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, u shpreh Rama.
Një miliardë euro shtesë në buxhetin e qeverisë për Edi Ramën kanë ardhur përshkak të mirëmenaxhimit dhe jo rritjes së taksave, por pa përmendur faktin, se një dorë të madhe parash shtesë i vijnë nga rritja e çmimeve të karburanteve në pagesën e TVSH-së. Për këto të fundit thotë se qeveria po mbikëqyr tregun e hidrokarbureve që mos të ketë abuzime.
“Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas”, vijoi kryeministri.
Sipas vendimit të fundit të bordit të transparencës çmimi i naftës në tregun e pakicës shitet me 224 lekë për litër, ndërsa benzina në 181 lekë për litër. (A2 Televizion)