
Kryeministri Edi Rama e quajti qesharake sjelljen e opozitës në Kuvend në ditën e betimit të Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, ku u ndezën flakadanë dhe pati edhe përleshje mes tyre dhe Gardës, shkruan A2 CNN.
“Opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, opozita rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100-vjeçar. I dhanë firmat Endrit Shabanit dhe sapo morën vesh që ne do të zgjidhnim një nga kandidatët e opozitës, u hodhën në sulm. Qesharakë deri në fund!”, tha Rama në nisje të podcast-it të tij “Flasim”, të dielën në mëngjes.
“Askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë. Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që nuk e kuptojmë. Endrit Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh, por e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar një parim të hershëm, edhe pse i kishim votat për të zgjedhur një kandidat tonin. Por mend për herë tjetër...”. (A2 Televizion)