
“Frikë, panik dhe blerje kohe”, kështu e quajti kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se socialistët do të shtyjnë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese për pezullimin e saj nga detyra.
“Reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet. Ai është frikacak, sepse nuk përballet me akuzën, por sulmon ata që e hetojnë. Një kryeministër i pastër, pa lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot do të duhej të mblidhte me urgjencë Parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zëvendëses së tij, të pandehur për 1.1 miliardë euro tenderime korruptive”, tha Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Pse nuk bëhet kurioz Edi Rama për “dardhat dhe mollët” që Belinda Balluku i ka ngrënë, por na u bëka kurioz pse SPAK-u po vepron shpejt? Sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush është porositësi i aferave korruptive të firmosura nga Belinda Balluku. Çështja “Balluku” nuk është rast i izoluar, por hallkë e një zinxhiri vendimmarrjeje që kalon nga zyra e Kryeministrit. Prandaj, Edi Rama kërkon të blejë kohë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese, pa asnjë lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut”.
Sipas Bardhit, Rama e di se hetimi nuk do të ndalet te zëvendësja e tij dhe po blen kohë. “Një kryeministër i pafajshëm nuk frikësohet nga shpejtësia e drejtësisë. Një kryeministër i pastër nuk sulmon SPAK-un. Një kryeministër i drejtë nuk ndërton alibi procedurale. Rrethi po ngushtohet. Dhe frika e Edi Ramës vjen nga ajo që tani drejtësia e di: se tenderat, koncesionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë rrugë me një kalim. Ajo të çon në zyrën apo shtëpinë e Edi Ramës!”. (A2 Televizion)