PS ultimatum PD për reformat, Rama porosit deputetët: Puna e komisioneve duhet të vijojë

Nga Fjorela Beleshi
15 Dhjetor 2025, 15:06 | Politikë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu në detyrë, zv/ministrja Belinda Balluku është shfaqur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, e cila u zhvillua të hënën në mëngjes në kryesinë e Kuvendit. Këtë herë në mbledhje nuk mungoi as Kryeministri Edi Rama, i cili udhëzoi deputetët e tij në këto ditë të fundit parlamentare dhe shpalosi objektivat për fillimin e vitit të ri.

Mësohet se Rama nuk e ka fshehur nga socialistët perceptimin publik se roli i opozitës së vërtetë ndaj mazhorancës qeverisëse me 83 deputetë në parlament, në mandatin e katërt, nuk është Partia Demokratike, por është pikërisht SPAK, shkruan A2 CNN.

Ndërsa kanë nisur “reflektimet” për drejtësinë, mazhoranca është e ashpër me PD. Rama u ka bërë të qartë në grup që puna e dy komisioneve, zgjedhore dhe territoriale, do të vijojë pavarësisht sjelljes bllokuese të PD. Mesazhin e përcolli në publik edhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili e kërcënoi opozitën parlamentare me zëvendësimin e tyre në komisione.

Me dakordësinë edhe të BE-së, mazhoranca nuk do të nxitojë për të miratuar e vetme ligjin për financimet e partive politike, duke i dhënë disa javë kohë mundësisë së rikthimit të dialogut politik.

Në legjislaturën e shkuar, PS refuzoi të çonte në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës për konflikt interesi, për shkak se bashkëshorti i saj u bë investitor strategjik gjatë kohës që deputetja socialiste ishte ministre e Jashtme. Por për Shqipërinë 2030, PS ka marrë vendim për të ngritur një komision etike për të luftuar nepotizmin në parti dhe përfitimet e familjarëve të deputetëve apo ministrave në mënyrë të padrejtë.

Ky komision, i cili do të drejtohet nga Lindita Nikolla, si dhe nga anëtarët Erion Malaj, Kiduina Zaka, Marjana Koçeku dhe Ermal Elezi, do të filtrojë deputetët deri te Kryeministri Rama, nëse familjarët e tyre kanë përfituar nga pushteti i tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos