Mënyra si e trajtoi qeveria shqiptare dhe elita politike ftesën e Trump për t’iu bashkuar iniciativës së Bordit të Paqes për analistin Altin Gjeta ishte problematike në dy nivele. Në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN, ai tha se kryeministri Rama nxitoi ta pranonte ftesën e presidentit amerikan pa u konsultuar me kabinetin dhe institucionet përkatëse, pasi sipas tij kishte një nevojë të ethshme për të legjitimuar pushtetin e tij.
“Mënyra si e trajtoi qeveria dhe elita politike ftesën e Trump për t’iu bashkuar kësaj iniciative ishte problematike në dy nivele; së pari nxitimi i kryeministrit për ta shpallur ftesën dhe për ta pranuar menjëherë pa një konsultim me kabinetin qeveritar dhe me institucionet e tjetra që janë të rëndësishme në hartimin e politikës së jashtme tregoi se km kishte nevojë të ethshme, ka një kanal komunikimi me presidentin Trump për të legjitimuar pushtetin e tij dhe injoroi legjitimitetin e brendshëm. Legjitimiteti i Shqipërisë buron nga populli shqiptar dhe nuk buron kancelari perëndimore. Ne kemi parë që udhëheqja shqiptare kërkon që të marrë legjitimitet nga jashtë dhe ta projektojë atë së brendshmi te qytetarët për të treguar se kanë marrëdhënie preferenciale me aktorë të rëndësishëm perëndimore dhe automatikisht kanë një lloj licence për të qeverisur qoftë edhe duke abuzuar me pushtetin”, tha Gjeta në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.
Sipas tij qasja e qeverisë shqiptare dhe elitës politike shqiptare për iniciativën e presidentit amerikan Trump për të formuar një bord paqeje është një mekanizëm, për të cilin ne kemi shumë pak informacion dhe nuk e dimë si do jetë natyra dhe raporti me institucionet ekzistuese.
Problemi i dytë sipas Gjetës është rreziku i vendosjes së Shqipërisë në pozitë të vështirë në raport me aleatët strategjikë.
“Së dyti gjykoj që miratimi në mënyrë të nxituar i pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë iniciativë ka rrezik ta vendosë Shqipërinë në pozitë të vështirë për një periudhë afatmesme ose afatgjatë. Se kjo nismë nuk është përqafuar nga pjesa më e rëndësishme e BE. Ka një çarje të thellë mes Europës dhe SHBA. Marrëdhënia transatlantike nuk ekziston më”. (A2 Televizion)