Gazetari Aulon Kalaja ka ‘zbuluar’ në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, takimin e parë mes kryeministrit Edi Rama dhe dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.
Kalaja tha se Kushner ishte në jahtin e tij duke lundruar në detin Adriatik dhe sipas tij, kryeministri Edi Rama i shkoi me një jaht tjetër, u fut brenda jahtit të tij dhe i propozoi për investimin në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Më tej Kalaja tha se ‘kumbar’ i këtij takimi u bë një biznesmen i njohur, i cili i propozoi Kushnerit takimin me kryeministrin Edi Rama.
Gjithashtu Kalaja shtoi se investimi në Sazan dhe në Zvërnec është edhe një investim politik i kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij po bën gjithçka për t’u afruar me Presidentin amerikan Donald Trump.
“Sazani ka qenë destinacion ushtarak më para, tani ka dalë që do bëhet investim amerikan. A është kjo një investim i politikës, i Edi Ramës? Po sepse unë di që Rama ka shkuar në jahtin e Jared Kushner, që ka qenë duke bredhur në Adriatik, ka qenë me një jaht tjetër Rama dhe ka hipur te ky jahti dhe i ka propozuar që këta të merrnin Zvërnecin dhe Sazanin.
Ata nuk e dinin fare ku binte Sazani. Dhe i ka ftuar Rama pastaj. Kjo është hera e katërt që Ivanka vjen këtu, por këtë herë pati një mbulim mediatik prefekt.
Rama kishte informacion dhe ka shkuar si piratët somalezë atje dhe i ka kërkuar plaçkën e luftës. Një biznesmen është bërë kumbari i marrëveshjes, që i ka thënë ‘a e pret kryeministrin shqiptar se ka qejf të të tregojë diçka’”, tha mes të tjerash Kalaja. (A2 Televizion)