"PD bëri mirë që votoi pro Bordit të Paqes"- Burimi: Do e quanin Berishën anti-amerikan në të kundërt

Nga A2 CNN
22 Janar 2026, 22:30 | Politikë

Analisti Genc Burimi, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Partia Demokratike bëri mirë që votoi pro Bordit të Paqes, pasi në të kundërt Sali Berisha, sipas tij, do të quhej antiamerikan.

“Nëse PD nuk do votonte pro Bordit të Paqes, imagjinoni gjithë makinerinë propagandistike të Edi Ramës që do thoshte se opozita është kundra Trumpit. Imagjinoni, asaj kohe kur Berisha dhe një herë luftonte për nderin e tij kundër “non gratës”, i thonin antiamerikan. Jo më sot, të guxonte kjo opozitë të thoshte që nuk shkojmë. Bënë shumë mirë që e bënë diçka të tillë dhe i hoqën pikërisht këtë manovër, këtë kurs në të cilin po i fuste Edi Rama”, tha Genc Burimi.

Ndërsa gazetari Elkier Bushkolaj theksoi se votimi sot ishte diçka që pritej: “Do përbënte lajm nëse do ishin ngritur aq vota pro sa u ngritën sot për diçka që lidhej me Kinën apo për diçka që lidhej me Rusinë. Nuk besoj se kjo përbën një lajm të madh. Duhet të kemi parasysh një diçka. Është në turpin e këtij Parlamenti që dhe herë të tjera nuk ka pasur këtë konsensus dhe rasti më flagrant është çështja e gjenocidit serb në Kosovë, që ne kemi parë një kërkesë të opozitës për gjenocidin serb në Kosovë. E kemi parë se si u rrëzua me atë fuqinë e 83 kartonave, ndërsa për pjesën tjetër që pati një votim konsensual, sqarimi i Partisë Demokratike ishte korrekt që ky votim erdhi për shkak të asaj se si ne shikojmë marrëdhënien me aleatin strategjik shqiptar, Shtetet e Bashkuara”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos