Gazetari Roland Qafoku deklaroi se defekti më i madh i protestës që është në ditën e saj të 38-të është mungesa e një përfaqësie me figura intelektuale.
“Kjo është protestë madhështore, por pati defektin kryesor mënyrën se si do ta zgjidhte arsyen e madhe pse dolën në protestë. Dhe gjithashtu nuk ndodhi përfaqësimi i protestës nga figura të larta publike dhe intelektuale. Aktualisht, kemi një protestë që fuqinë e kishte tek të qënit paqësore dhe tani kemi elemente dhune, gjë që e ka dobësuar protestën”, tha Qafoku në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Ata janë heronj që dalin aty 38 ditë radhazi, por problemi është se si do të zgjidhet kjo. Ka vetëm një mekanizëm: në rrugë politike brenda sistemit. Jashtë sistemit nuk zgjidhet. Përfaqësi nuk zgjodhën. Mënyra se si kërkuan për ta zgjidhur, ose nuk e kërkuan fare zgjidhjen, ky është defekti i protestës. Imagjino të kishim aty 5-10 figura që i pranonte shumica e shoqërisë, që kanë autoritet dhe profil të lartë intelektual, por janë edhe prezentë në media. Defekti më i madh i protestës është pikërisht mungesa e kësaj përfaqësie. Ne kemi personalitete. Sot kemi edhe një defekt tjetër, që partitë politike po synojnë ta përvetësojnë protestën. Është gjë e mirë ta mbështetësh protestën, por ka parti që duan të marrin benefite politike”, shtoi gazetari Roland Qafoku. (A2 Televizion)