Qeveri besimi në Shqipëri? Nazarko: Nuk shoh shanse që SHBA-të të përfshihen. Berisha ende "non grata"

Nga A2 CNN
20 Prill 2026, 22:17 | Politikë

Analisti Mentor Nazarko tha se nuk ekzistojnë gjasat që SHBA-të të mbështesin një qeveri pa Edi Ramën në krye, ose të ashtuquajturën qeveri besimi në Shqipëri. Sipas Nazarkos, Uashingtoni nuk po bën presion që të shkohet tej ajo qeveri, e cila artikulohet vazhdueshëm nga opozita në kërkesat e saj. 

Analisti mendon që ndërkombëtarët mund ta shohin PS-në si të keqen më të vogël përballë PD-së, çka sipas tij përforcohet si argument edhe nga fakti që Berishës nuk i është hequr non grata, ndryshe nga Dodikut.

Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nazarko tha: “Diplomatët e dinë shumë mirë se çfarë ndodh këtu, i njohin alternativat, janë serioz në punën e tyre. Kanë Shërbim Informativ, Shërbimet Sekrete, e njohin gjendjen këtu. Ata ndoshta duke parë ofertat në tregun politik shqiptar, preferojnë të mbajnë ndoshta të keqen më të vogël, ndoshta e shohin që nëse vjen z.Berisha, s’kemi garanci për ato procese që duam ta shohim Shqipërinë. Fakti që Berisha ka pasur vështirësi që ta heqë non gratën. E ka hequr Dodiku psh. Sigurisht e ka hequr ashtu siç funksionojnë lobingjet. Non grata nuk ka rënë për Berishën", tha Nazarko. 

"PD nuk shihet nga Perëndimi si alternativë e besueshme. Berisha e ka PD-në krijesën e vet, ndoshta ka ardhur koha që të mbështesë një figurë të re. Çdo figurë e re do krijonte tjetër dinamikë dhe besueshmëri. Nuk shoh që ka ndonjë shans që amerikanët të përfshihen në atë mënyrë që janë përfshirë deri tani. Nuk shoh se si amerikanët do të përfshihen në një shtet si i yni për të garantuar qeverinë e besimit. Nuk e shoh si do ndodhë kjo qeveria e besimit. Nuk e shoh presionin e mjaftueshëm që të shkohet tek ajo qeveri”, vijoi analisti.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos