“Orban s’ishte autokrat”, Kedhi: Kryeministri i ri hungarez nuk ndryshon nga i mëparshmi

Nga A2 CNN
13 Prill 2026, 22:43 | Politikë

Nikola Kedhi, këshilltar i Grupit të Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, theksoi se Viktor Orban nuk ishte autokrat.

“Ra ky miti që Orbani ishte ky gogoli i madh, ky autokrati që po shtypte popullin e vet. Në fakt, kushdo që ka shkuar në Hungari, dhe unë kam shkuar shpesh këto vite, e ka fare të kollajtë që ta shihte dhe ta kuptonte atje se çfarë demokracie është Hungaria. Mjaft t'ju tregoj dy vite përpara, ndërkohë që isha në një event ku isha i ftuar si panelist, pak metra më tutje ishte një event i organizuar nga fondacioni “Shoqëri e hapur” me një tematikë progresiste, paradat “pride” bëhen rregullisht, ndaj nuk është Hungaria ky vendi i madh diktatorial që paraqitet”, tha Kedhi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përbërë nga përfaqësues të natyrisht të partisë në pushtet, të partive politike parlamentare, të partive politike që garojnë në zgjedhje. Pra, janë të përfaqësuar të gjithë. Mjaft t'ju kujtoj që në 2022 opozita e majtë në atë kohë kishte pretendime se po vidheshin zgjedhjet dhe kërkuan që të kishin vëzhgues dhe çuan vëzhgues më shumë se ç’ kishte Fideszi dhe panë që nuk kishte asnjë vjedhje të zgjedhjeve dhe e tërhoqën ankesën që kishin”, shtoi Kedhi.

Më tej, Nikola Kedhi theksoi se kryeministri i ri nuk ka shumë ndryshime nga Orban.

“Sot në konferencë ka thënë se Budapesti do të vijojë të blejë naftën ruse, është kundër futjes së përshpejtuar në BE të Ukrainës, shpreson që BE-ja t’i heqë sanksionet Rusisë, muri në kufi do të vijojë të jetë aty. Më thoni nga ndryshon nga Orban”, nënvizoi Kedhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos