Rama: Menaxhimi i pyjeve dhe zonave të mbrojtura hyn në një fazë të re drejt BE-së

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2025, 11:44 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në aktivitetin “Për Ty Natyrë”, ku u diskutua mbi prioritetet e mjedisit dhe pyjeve në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se sektori i mjedisit mbetet një nga kapitujt më të vështirë të negociatave, por njëkohësisht edhe një fushë ku vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.

Rama vuri në dukje se moratoriumet e pyjeve dhe gjuetisë, të vendosura një dekadë më parë, kanë dhënë rezultate të prekshme, pavarësisht debatit që shoqëroi miratimin e tyre.

“Jemi të fokusuar tek njëri nga aspektet më të vështira të procesit të negociatave, i mjedisit, ku pa diskutim mënyra se si shihen, trajtohen dhe promovohen zonat e mbrojtura është një pjesë strategjike e gjithë këtij kompleksi që lidhet me natyrën që na rrethon. Duke kthyer kokën pas, pa diskutim që ka shumë arsye për të qenë krenarë ku jemi sot… Sot mund të shikojmë me krenari rezultatet e moratoriumeve që asokohe krijuan debat dhe u panë me shumë dyshim, qoftë në aspektin e ripërtëritjes së pyjeve apo faunës në Shqipëri.”, tha Rama ndër të tjera.

Sipas tij, agresioni ndaj territorit, me ndërtime pa leje, prerje të paligjshme dhe ndotje, është frenuar ndjeshëm, ndërsa bilanci i krimeve mjedisore paraqitet sot më i ulët se vite më parë. Megjithatë, kryeministri pranoi se problematikat nuk janë zhdukur dhe kërkojnë një qasje të re institucionale.

Rama njoftoi se qeveria dhe Ministria e Mjedisit po punojnë për një reformim të thellë të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe natyrës. Ky reformim parashikon ristrukturimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe asaj të pyjeve, duke i unifikuar në një strukturë të vetme që do të funksionojë me një qasje “360 gradë”.

Sipas tij, ky model i ri synon të sjellë një administrim më efikas, më të sigurt dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane, duke qenë thelbësor për ecurinë në negociatat për integrimin europian dhe për të ardhmen mjedisore të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos