“S’keni moral”, Kreu i PD Durrës, Ardian Muka shpërthen ndaj Salianjit: Po çoni ujë te mulliri i Ramës

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2025, 09:28 | Politikë

Kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ardian Muka, ka reaguar ashpër ndaj nismës së një grupimi të drejtuar nga Ervin Salianji, i cili organizoi një takim paralel me strukturat lokale të PD-së në qytetin bregdetar. I ftuar në emisionin Off The Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Muka akuzoi grupin e Salianjit se po veprojnë jashtë strukturave dhe se po dëmtojnë opozitën në një moment kur demokratët duhet të fokusohen tek riorganizimi i brendshëm dhe denoncimet ndaj qeverisë.

Sipas Mukës, elektorati demokrat është lexuar siç duhet, ndërsa PD-ja në Durrës ka reflektuar dhe është në proces ristrukturimi. “Elektorati nga ana e Partisë Demokratike është lexuar. Ne reflektojmë dhe fakti që jemi në Durrës për të bërë këtë bisedë është pjesë e këtij reflektimi”, tha ai.

Muka shtoi se nisma e grupit të Salianjit nuk ishte as spontane dhe as parimore, duke veçuar figurat që po e udhëheqin atë. “Personat që po e çojnë përpara, për mendimin tim, nuk janë personat e duhur. Nuk kanë moralin e duhur për ta bërë këtë gjë”, u shpreh ai.

Duke rrëfyer detaje të vizitave të përsëritura të Salianjit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Durrës, Muka tha se askush nuk i ka penguar ata të takojnë demokratët, por mënyra sesi është konceptuar dhe promovuar tubimi është e papranueshme. “Asnjëri nuk i ka penguar të vijnë. Kanë bërë takime me kafe e darka, por të vish të bësh një takim në këtë nivel, duke çuar mesazhe në emër të PD-së, kur dihet që ne jemi institucion me hierarki, nuk është mesazhi i duhur”.

Muka kujtoi edhe një moment personal me Salianjin, duke ironizuar: “I bëra një batutë zotit Salianji. Besoj që i ka ngelur ora në 2020, kur më përjashtoi nga Partia Demokratike se isha pjesë e foltores”.

Duke krahasuar foltoren e dikurshme me lëvizjen aktuale, ai u shpreh: “Edhe ajo ishte jashtë Partisë Demokratike, edhe kjo është jashtë Partisë Demokratike. Ndryshimi është në moral, sepse këta persona në 2025 nuk bënë asnjë ditë fushatë për PD-në”.

Sipas tij, Durrësi është një nga qarqet ku primaret dhe statuti janë respektuar plotësisht, ndaj argumenti i mungesës së fjalës së lirë bie poshtë. Ndërkohë, Muka ngriti sërish dyshimin se kjo nismë, në këtë moment politik, i shërben kundërshtarit. “Pyetja ime është: kujt i shërben kjo lëvizje? Natyrisht që e kam përgjigjen. Faktet janë kokëforta. Po çoni ujë te mulliri i kundërshtarit politik”.

Ai e cilësoi të papërgjegjshme prishjen e fokusit të opozitës në një kohë kur, sipas tij, PD duhet të jetë e angazhuar tek denoncimet ndaj qeverisë: “Ne të gjitha bateritë i kemi tek denoncimet për vjedhjet e qeverisë dhe tek riorganizimi ynë i brendshëm. Çdo foltore paralele i shërben Ramës, jo kauzës sonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos