
Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për përdorimin e inteligjencës artificiale në qeverisje, duke u ndalur te eksperienca e Shqipërisë “Diellën”.
Rama tha se është surprizuar pozitivisht nga interesi i miqve të huaj për atë që po ndodh në Shqipëri me inteligjencën artificiale.
“Jam surprizuar shumë pozitivisht që shumë miq donin të dinin rreth asaj që po ndodh në vendin tonë me inteligjencën artificiale. Jemi një komb që e kemi jetuar tashmë të ardhmen që të tjerë janë duke e debatuar.”
Kryeministri tha se inteligjenca artificiale duhet të përdoret në mënyrë që të fuqizojë qenien njerëzore dhe jo ta bëjë atë të varur prej teknologjisë.
“Ne mund të ndërtojmë një AI që mëson në vend që thjesht të përgjigjet, që orienton në vend se të komandojë, dhe që fuqizon qenien njerëzore, në vend që qenia njerëzore të bëhet e varur prej saj. Pyetja nuk shtrohet sa shpejt e kreu punën makina, por çfarë mësoi qenia njerëzore.”
Rama u shpreh se Shqipëria është bërë vendi i parë që ka sjellë një instrument të inteligjencës artificiale në arkitekturën e qeverisë, përmes “Diellës”.
“Shqipëria u bë vendi i parë që solli një instrument të AI-së në arkitekturën e qeverisë, përmes Diellës. Nuk e bëmë këtë për të transferuar sovranitetin te makina, por për t’i bërë shërbimet publike më të aksesueshme, procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës.” (A2 Televizion)