
Disa ditë pasi vendi po përballet me përmbytje dhe reshje dëbore, Kryeministri Edi Rama mbledh të premten në orën 8:30 Komitetin Ndërqeveritar të Emergjencave në selinë e qeverisë. Zv/Kryeministrja Balluku paralajmëroi se qeveria po përgatit një paketë për dëmshpërblimet për dëmet në banesa dhe bujqësi.
Ndërsa grupi parlamentar i PD me anë të një dokumenti drejtuar kryetarit të Kuvendit, qeverisë dhe ministrisë së mbrojtjes kërkon që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
Gjithashtu demokratët kërkojnë vlerësimin objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për banorët e prekur. Nga ana tjetër Gazment Bardhi I bën thirrje kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi që të mbajë të informuar deputetët për situatën, rreziqet dhe masat e marra për menaxhimin e situatës. (A2 Televizion)