
Qeveria po përgatit një paketë për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga përmbytjet në të gjithë vendit. Lajmin e dha zv.kryeministrja Belinda Balluku, gjatë një vizite në Novoselë, ku ka nisur një operacion për evakuimin e banorëve të prekur nga reshjet, përcjell A2.
“Duhet të jeni në dijeni që kryeministri, së bashku me Ministrinë e Financave, po dizajnon në këto momente një paketë që do të garantojë dëmshpërblimin, si për dëmet në bujqësi ashtu edhe për banesat. Nesër në mëngjes, në orën 08:30, do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit Ndërqeveritar të Emergjencave, ku do të ketë edhe një adresim nga ana e kryeministrit, jo vetëm për zgjidhjen dhe përballimin e situatës, por edhe për masat mbështetëse shumë të rëndësishme për familjet dhe bizneset e prekura, si dhe për informimin e plotë të tyre”, tha Balluku.
Ajo bëri thirrje që qytetarët e prekur të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. “Ne e kemi shumë të qartë, dhe e kemi parë këtë edhe gjatë periudhës së tërmetit, që banorët zakonisht nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por në këto momente jeta është më e rëndësishme. Sigurisht, ne kemi marrë masat dhe Ministria e Brendshme, përmes Policisë së Shtetit, është e angazhuar maksimalisht për mbrojtjen dhe shpëtimin e çdo jete”, shtoi ajo. (A2 Televizion)