
Ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias ka dalë me një deklaratë në rrjetet sociale në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, homologun Ermal Nufi dhe Kryepeshkopin Joan.
Dendias bën me dije se ka diskutuar me Nufin për thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe e ka ftuar për një vizitë në Athinë. Ndërsa me Ramën, ministri grek thotë se diskutoi panoramën më të gjerë gjeopolitike dhe situatën në Mesdheun Lindor.
“Pata kënaqësinë të diskutoj me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi, për thellimin e marrëdhënieve tona në fushën e mbrojtjes dhe ta ftoj atë për një vizitë në Athinë. Patëm mundësinë të biem dakord për një interpretim të përbashkët të sfidave gjeopolitike me të cilat përballet rajoni ynë më i gjerë dhe të shqyrtojmë se çfarë sinergjish mund të gjejmë në kuadër të NATO-s, si edhe në kontekstin e rrugës së Shqipërisë drejt familjes europiane. Se ku mund të ndihmojmë ne dhe ku Shqipëria mund të na ofrojë përvojën e saj nga sulmet kibernetike me të cilat është përballur muajt e fundit.
Gjithashtu pata nderin të pritem nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe të diskutojmë panoramën më të gjerë gjeopolitike dhe situatën në Mesdheun Lindor, si edhe të marr bekimin e Kryepeshkopit Joan, pasardhësit të të ndjerit Anastas, të cilin të gjithë e kujtojmë me respekt të madh”, shkruan Dendias në “X”.
(A2 Televizion)