
Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat në distancë me Shoqatën e Prokurorëve, lidhur me debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Në një postim në “X”, kreu i qeverisë vë në dukje se ai nuk ka thënë që shoqata s’është e regjistruar, por që janë ende në proces, pasi regjistrimi nuk mbyllet me gjykatën, por tatimet.
Rama thotë se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, nga ata që i konsideron si "zëdhënës vullnetarë" të shoqatës, raporton A2CNN.
“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë.
Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit” - pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur", shkruan Rama.
"Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave - të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”, vijon mesazhi i kreut të qeverisë. (A2 Televizion)