Risitë kryesore në projektligjin për Policinë Bashkiake

Nga A2 CNN
19 Janar 2026, 14:56 | Politikë

Risitë kryesore në projektligjin për Policinë Bashkiake

Përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e sigurisë publike janë në qendër të projektligjit të ri "Për Policinë Bashkiake", i cili synon forcimin e rolit të strukturave vendore dhe rritjen e efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve, thotë ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Sipas saj, nisma, pas konsultimit publik pritet të diskutohet në Këshillin Konsultativ me pushtetin vendor.

Projektligji parashikon një organizim të ri të Policisë Bashkiake në dy nivele, në nivel qendror dhe nivel vendor, duke vendosur standarde të njëjta profesionale dhe funksionale në të gjitha bashkitë e vendit, përcjell A2.

Niveli qendror do të ketë përgjegjësinë për përcaktimin e standardeve kombëtare, koordinimin e punës së drejtorive vendore dhe garantimin e bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional. Ky nivel do të ushtrojë një rol mbështetës dhe koordinues, pa cenuar autoritetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ndërkohë, niveli vendor do të vijojë të ketë autoritet të plotë në terren, me kompetenca të shtuara, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të shpejta dhe më efektive për komunitetin.

"Përmes këtij vizioni të ri, synohet ndërtimi i një Policie Bashkiake më profesionale, më të besueshme dhe më pranë qytetarëve, si një komponent i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë publike dhe mirëqeverisjes vendore", thekson ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos