
Disa ditë më parë, Ministria e Jashtme dhe shërbimi diplomatik u kritikuan nga Kryeministri Rama, duke u cilësuar si një dështim. Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, tha se nuk ka kontradiktë mes respektit ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar dhe nevojës për reformim të shërbimit të jashtëm.
“Në këto 100 ditë që drejtoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kam gjetur njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, por edhe nevojë për reformim të thellë. Ligji i ri për shërbimin e jashtëm do të kalojë në Kuvend më 28 janar dhe do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, talenteve të reja dhe hapjes së diplomacisë shqiptare”, u shpreh ajo, përcjell A2.
“Shqipëria ka hyrë në një rol të ri ndërkombëtar dhe kjo kërkon një administratë diplomatike në lartësinë e këtij misioni. Ka shumë punë për të bërë dhe viti 2026 do të jetë vendimtar për këtë ofensivë diplomatike”.
Çfarë deklaroi Rama?
“Ministria e Jashtme është si Televizioni Shqiptar, është një tjetër dështim i madh i yni. E ua thashë, e kam thënë dhe po ua them se nuk është një gjë që nuk e dimë, nuk është një institucion në funksion të gjithë këtyre sfidave. Nuk është. Pse? Sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që u bë si reformë, nuk ishte reformë, ishte “tualet”, domethënë makijazh. Dhe ne nuk e kemi një shërbim diplomatik sot në lartësinë e sfidave të mëdha që ka bota dhe Shqipëria. Kështu që ligji duhet të jetë i tillë që të hapë rrugën për reformë, të hapë rrugën për të futur ajrin e pastër, për të futur njerëz të rinj. Shqipëria sot ka njerëz plot, jashtë në Diasporë dhe mos harroni, do vij dhe te Diaspora, që Diaspora është pjesë e elektoratit aktiv në Shqipëri, nuk shërbejnë dot në ato përfaqësitë tona se nuk kanë statusin “grata” e ku di unë se çfarë. Dhe “gratat” janë “marrë peng” nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit që as televizion nuk është ai, se ata as nuk dalin, nuk dihet kush janë, ku janë, sa janë, ça bëjnë. Unë sa herë shkoj atje në atë ministri, më duket sikur aty është ministri, sekretarja dhe ai roja që më shoqëron deri atje ndërkohë që nga muret e nga korridoret del një jehonë”. (A2 Televizion)