Rinis Parlamenti, Balla në Konferencën e Kryetarëve: Opozita të mos humbë kohë me revolucione që s’kanë për të ndodhur

Nga A2 CNN
19 Janar 2026, 12:29 | Politikë

Rinis Parlamenti, Balla në Konferencën e Kryetarëve: Opozita

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës që të kthehet në tryezën e negociatave për komisionet e reformës zgjedhore dhe atë territoriale. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve Balla tha se tërheqja nga komisionet është shkelje e marrëveshjes.

“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Ppor duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund të bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju”, citohet të ketë thënë Balla, përcjell A2 CNN.

“Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu të gjithë ia themi njëri-tjetrit, majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027. Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos