Në Samitin e Abu Dabit, Kryeministri Edi Rama tregoi mënyrën se si furnizohet Shqipëria me energji elektrike dhe vështirësitë që has vendi, për shkaqe që sipas tij nuk varen nga qeveria, por nga vullneti i Perëndisë me reshjet. Shefi i qeverisë është i bindur se brenda dy viteve Shqipëria do të jetë plotësisht sovrane edhe nga “punët e Zotit”, ndaj nuk do të ketë më nevojë të blejë energji.
“Kemi burime hidrike dhe jemi 100% në energji të ripërtëritshme. Mos harroni, sidoqoftë, që hidro, pra burime ujore, do të thotë që ne varemi nga “humori” i Allahut. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, atëherë nuk kemi shi dhe kështu na duhet t’i drejtohemi importit. Ajo çfarë kemi bërë në këtë dekadë të fundit është të investojmë shumë në energjinë diellore dhe atë të erës, duke pasur 100% energji të gjelbër. Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të vitit 2028 do të jemi plotësisht sovranë, nuk do të blejmë më energji nga jashtë”, tha Rama, përcjell A2.
Rama mendon se qeveria e tij do të bëjë para duke i shitur Evropës energji të pastër me ndihmën e Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Ambicia jonë është që, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Dr. Sultan, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe, përmes kabllit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe, së bashku me miqtë tanë arabë, të bëjmë para për t’ia shitur pra Evropës”, tha Rama.
Ky projekt do të kushtojë më shumë se 1 miliard dollarë, por Kryeministri Rama nuk e tha shifrën e saktë që të mos i prishë punë homologes italiane, Giorgia Meloni. “Është më shumë se 1 miliard. Shifrën e saktë nuk kam ndërmend t’ua them sepse nuk e kam marrë akoma lejen nga Dr. Sulltani, se nuk do që t’i trembë italianët, duke qenë se kanë gjithmonë probleme me buxhetin e tyre”, tha Rama.
Në këtë bisedë, Kryeministri Rama në Abu Dhabi u shfaq i çliruar nga kostumi i zyrtarit, duke iu rikthyer batutave si me moderatorin grek, ashtu edhe me homologun malazez. “Nuk dua t’i ha kohën këtij vendi “të madh” të Malit të Zi. Mali i Zi “është vendi më i madh” në rajonin tonë dhe ka 50 milionë qytetarë. Ne jemi vend i vogël”. (A2 Televizion)