Të rinjtë e sotëm nuk kanë vokacionin shpirtëror të lirisë dhe të dinjitetit dhe ky është problem shumë i madh. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN gazetari Neritan Sejamini, sipas të cilit tij, rebelimi i tyre është sipërfaqësor, ndërsa mungon gatishmëria për të reaguar ndaj padrejtësive dhe për t’u ngritur në protesta.
“Fëmijët e të rinjtë e sotëm nuk kanë vokacionin shpirtëror të lirisë dhe të dinjitetit dhe ky është problem shumë i madh. Ata mund të jenë rebelë, por nuk e kanë shpirtërisht. Të rinjtë nuk luftojnë për lirinë, sepse nuk sepse nuk e dinë çfarë është liria jashtë lirisë materiale dhe nuk e ushtrojnë këtë të drejtë dhe ky është problemi”, u shpreh gazetari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sejamini thekson se edukimi në arsim për brezat është dështimi më i madh i shoqërisë sonë.
“Një nga problemet kryesore që kemi pasur ne në këto 35 vite është që ne nuk kemi krijuar një arsim që do edukonte breza të ndryshëm. Sepse edukimi me vlera demokratike edhe me vlerat e lirisë është një edukim i cili vjen me gjenerata të tëra. Pra, një nga dështimet tona të mëdha është që ne pikërisht nuk kemi investuar në këtë në këtë lloj kuptimi, në investimin shpirtëror dhe mendor të gjeneratave të reja, si përmes arsimit formal ashtu dhe përmes të gjithë mekanizmave që ka një shoqëri” theksoi Sejamini në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai nënvizon se shoqëria shqiptare ka funksionuar historikisht mbi një standard autokratik, duke trashëguar modele patriarkale, klanore dhe nënshtruese ndaj pushtetit. Kjo, sipas tij, shpjegon pse qytetarët shpesh presin gjithçka nga shteti dhe përfshihen pak në jetën publike.
“Standardi që ne kemi pasur si shoqëri ka qenë standard autokratik në gjithë historinë tonë dhe çështja është ne si shoqëri, prandaj them 35 vjet duhet të reflektojmë si shoqëri ne. A do largohemi nga modeli patriarkal, klanor, autokratik, i rregullimit politik dhe shoqëror të vendit tonë? Dhe kjo është çështja të diskutojmë, por kjo çështje të gjithë neve, sepse ne nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë që e braktisim Shqipërinë dhe ikim diku tjetër dhe gjen demokracinë diku tjetër në vend të luftojmë këtu dhe që për çdo gjë në vend që ne të angazhohemi, të kontribuojmë, të kritikojmë gjithë si shoqëri, sidomos njerëzit që ndikojnë në opinionin publik, ne vetëm kritikojmë Ramën dhe Berishën dhe na duket se jemi intelektualë”.
(A2 Televizion)