1 miliard $ për Bordin e Paqes? Gazetari nga SHBA zbulon kostot dhe vendin e Shqipërisë

Nga A2 CNN
18 Janar 2026, 21:54 | Politikë

Gazetari Dorant Vojka, në një lidhje direkte nga SHBA me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, dha detaje mbi kostot dhe vendin që do të ketë Shqipëria në Bordin e Paqes.

“Në radhë të parë do të thoja që është një kënaqësi që ta shikojmë Shqipërinë të përfshirë në ftesa të tilla. Por, kjo ftesë nuk është për zotin Rama. Kjo ftesë është për Shqipërinë. Zoti Rama aty është vetëm si një koinçidencë se është kryeministri i tanishëm i Shqipërisë. Kushdo prej jush në studio të kishte qenë kryeministër i Shqipërisë do të kishte marrë këtë ftesë. Por, unë ama do ta shikoja pak në një aspekt më të gjerë, sepse kjo ftesë apo kjo organizatë që po mundohet të krijojë Presidenti Trump është një organizatë e cila mundohet të pasqyrojë atë vizionin e Presidentit Trump për një botë të ardhshme dhe vizioni i Presidentit Trump për një botë të ardhshme është një vizion që këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës shikohet si një vizion perandorak gati-gati. Ç'dua të them me këtë? Presidenti Trump me atë që bëri në Venezuelë dhe me atë që kërkon të bëjë në Groenlandë po vulos atë politikën e re botërore apo doktrinën e tij ku peshku i madh e ha peshkun e vogël”, tha fillimisht Vojka.

“Presidenti Trump propozon një kohë 3-vjeçare pa para për anëtarët të cilëve i është bërë ftesa dhe pastaj nëqoftëse vendet duan të rrinë akoma në këtë bord drejtues duhet të paguajnë 1 miliard dollarë, ku shtetet e vogla nuk do të kenë mundësi, si për shembull Shqipëria apo shtete të vogla të tjera pa të ardhura nuk do të kenë mundësi t'i paguajnë këto para dhe për rrjedhojë ato do të kalojnë si të thuash në atë rangun e dytë të përfaqësimit. Unë me thënë të vërtetën e shikoj si një diçka pozitive për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në një pozicion përfitues nga kjo që po ndodh dhe është normale sepse është një superfuqi botërore. Si një shqiptar unë do ta shikoja pak me më kontradiktë këtë përsa i përket Shqipërisë sepse siç thashë kjo është pjesë e asaj doktrinës ku peshku i madh e ha peshkun e vogël dhe nuk mban përgjegjësi. Si shqiptar unë e shikoj pak me rezerva këtë që po ndodh sepse Shqipëria është një vend i vogël”, shtoi gazetari.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos