
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut Spanjoll Pedro Sanchez, pas aksidentit tragjik me trenat e shpejtësisë së lartë, si pasojë e të cilit 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
“I dashur Pedro! Mora me trishtim të thellë lajmin e aksidentit tragjik hekurudhor që ndodhi në Adamuz. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim, dua të shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe qeverinë e Spanjës në këto çaste dhimbjeje”, shkruan Rama në mesazhin e publikuar në X.
“Mendimet tona shkojnë për ata që kanë humbur njerëzit e dashur dhe me të gjithë skuadrat që po punojnë pa u lodhur pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”.
Çfarë ndodhi në Spanjë?
Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti tragjik hekurudhor në jug të Spanjës, më i rëndi në më shumë se një dekadë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 19:45 lokale, në zonën Adamuz, pranë qytetit të Kordobës, kur një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte nga Málaga drejt Madridit doli nga shinat dhe kaloi në linjën e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madridi në Huelva, shkruan A2 CNN.
Sipas autoriteteve, në të dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë stafi. Të paktën 73 persona janë dërguar në spital, prej të cilëve 24 janë në gjendje të rëndë, përfshirë edhe katër fëmijë. Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e cilësoi aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, ndërsa hetimet zyrtare kanë nisur, por pritet të zgjasin disa javë.
Ekipet e shpëtimit u përballën me vështirësi të mëdha për shkak të vagonëve të shtrembëruar nga përplasja. Shërbimet hekurudhore mes Madridit dhe Andaluzisë janë pezulluar, ndërsa në disa stacione janë ngritur qendra për familjarët e viktimave.
Kryeministri Pedro Sánchez foli për një “natë dhimbjeje të thellë” për vendin, ndërsa liderë europianë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këtë tragjedi. (A2 Televizion)