Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza për standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit, duke theksuar se qytetarët ndëshkohen ashpër për shkelje të vogla, ndërsa zyrtarët e lartë mbrohen politikisht për çështje të korrupsionit.
Në një intervistë për emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklaj, Tabaku deklaroi se zvarritja e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit përbën një precedent të rrezikshëm dhe dëmton seriozisht besimin te drejtësia.
“Pse i japim burg atyre që bëjnë parkim dyfish, ndërsa për korrupsionin nuk zbatohet ligji? Pse disa janë më të barabartë se të tjerët?”, u shpreh ajo, duke theksuar se imuniteti nuk është privilegj, por përgjegjësi institucionale.
Sipas Tabakut, vonesat e qëllimshme të mazhorancës në Kuvend po përdoren si mburojë politike për zyrtarë të dyshuar, duke cenuar kredibilitetin e SPAK dhe duke krijuar idenë se korrupsioni mund të mbrohet përmes pushtetit politik.
Ajo theksoi se ky qëndrim dëmton rëndë shtetin e së drejtës dhe pengon procesin e integrimit europian, ndërsa kërkoi që parlamenti të mbajë një qëndrim të qartë dhe të mos e zvarrisë më tej vendimmarrjen. (A2 Televizion)