
Komisioni i Përhershëm Parlamentar i drejtuar nga Fatmir Xhafaj kërkoi një vizitë monitoruese në SPAK mbi rezultatet në luftën kundër pastrimit të parave, por SPAK ka refuzuar.
Sipas shkresës që A2CNN disponon, kërkesa mbështetej në një dokument të Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe parashikonte zhvillimin e takimit më 6 shkurt 2026. Por SPAK e refuzoi kërkesën, duke argumentuar se një vizitë e tillë cenon pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme dhe përbën kapërcim të ligjit.
“Çdo praktikë monitoruese bie ndesh me pavarësinë kushtetuese të SPAK,” thuhet në shkresën zyrtare, ku theksohet se kjo pavarësi është thelbësore për hetime të pavarura dhe të paanshme.
Megjithatë, SPAK shprehet i gatshëm për bashkëpunim institucional, duke sqaruar se mund të informojë komisionin në përputhje me ligjin, por jo t’i nënshtrohet monitorimit.
Prokuroria e Posaçme kujton gjithashtu se ka raportuar më herët mbi zbatimin e rekomandimeve të Task-Forcës, në kuadër të procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Moneyval. (A2 Televizion)