Shqipëria ka ngecur në Bruksel, mes Komisionit dhe Këshillit të Bashkimit Europian. Edhe pse qeveria e unionit thotë që vendi ynë i ka plotësuar kushtet për të marrë një raport pozitiv të vlerësimit të standardeve të funskionimit të shtetit të së drejtës, luftës antikorrupsion dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimit të demokracisë, disa vende anëtarë të BE janë skeptike, duke mos i dhënë ende dritën jeshil eShqipërisë për të vijuar me mbylljen e kapitujve.
Raporti IBAR është kushti formal për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave, shkruan A2.
Në dy takimet e fundit të 6 dhe 13 marsit grupi i punës në Këshillin e Bashkimit Europian nuk ka gjetur dakordësinë e vendeve anëtare për të lejuar Tiranën zyrtare që të kalojë në një stad tjetër të negociatave.
Këtë e konfirmoj zyrtarisht për A2CNN vetë BE: “Shtetet anëtare i drejtuan disa pyetje Komisionit Europian në lidhje me IBAR dhe morën përgjigjet e nevojshme. Pra, ishte thjesht një shkëmbim pikëpamjesh, pa përfundime operative në këtë faze”.
Për shkak të kësaj situate, Brukseli konfirmon për A2CNN se takimet e COELA-s për piketat e ndërmjetme të Shqipërisë do të vijojnë në javët në vijim: “IBAR shërben si bazë për të ashtuquajturin draft-pozicionin e përbashkët të përkohshëm të BE, të cilin Komisioni tashmë ua ka paraqitur shteteve anëtare dhe për të cilin diskutimet në COELA do të vazhdojnë në javët dhe muajt në vijim”.
Pak ditë më pare, Këshilli gjerman për marrëdhëniet me jashtë e paralajmëroi mazhorancën se Shqipëria ndodhet në një situatë kritike për të marrë raportin pozitiv të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) pasi Gjermania kërkon që të mos pengohen hetimet për zyrtarë të lartë kur vjen puna tek imuniteti.
Vetë Kryeministri nuk e pranon që vendimi që morën në Parlment mund t’i mbyllë derën e BE-së, edhe pse nuk e mohon që me partnerët, anëtarë të BE, kanë patur qasje të ndryshme ndaj kësaj çështjeje.
“Unë ju siguroj që në asnjë mënyrë rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak. Të tjerat, kur thoshte At Gjergj Fishta, janë dokrra hini”, tha Rama. (A2 Televizion)