Podcastin e tij të fundjavës kryeministri Edi Rama e nisi duke folur për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, fenomen sipas tij vjen si pasojë e pashmangshme e Konfliktit në Lindjen e Mesme. Por Rama thotë se qeveria e tij nuk do të rrijë të shohë se si përfundon kjo luftë, por do të krijohet një mekanizëm shtetëror për të impaktuar tregun e brendshëm. Për këtë ide nuk ka ende afate kohore.
“Jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur”, deklaroi Rama.
Deri sa të krijohet kjo kompani shtetërore, qeveria ka krijuar një Task Forcë për të monitoruar dhe çmimin e naftës në tregun shqiptar.
“Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një Task Forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve. Ky grup proporcional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse”, u shpreh Rama.
Gjithashtu kryeministri mendon se me ligjin e ri që parashikon krijimin e rezerva nga një deri në tre muaj të naftës mund të frenojë rritjen e çmimeve të hidrokarbureve në mënyrë të menjëhershëm sa herë tensionohet situate në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm. (A2 Televizion)