
Në 20-vjetorin e krijimit të degës së Partisë Socialiste në Greqi, sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla ka zhvilluar një takim festiv në Athinë me drejtuesit ndër vite të strukturave të kësaj force politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizimin dhe forcimin e strukturave të partisë në Greqi ndër vite, duke kulmuar me zgjedhjet e 11 majit.
“Takim festiv me drejtuesit ndër vite të Partisë Socialiste në Greqi në 20 vjetorin e krijimit të strukturave tona këtu. Mirënjohje të gjithë kontributorëve në organizimin e Partisë Socialiste në Greqi, në betejat dhe sfidat tona elektorale, të cilat kulmuan me fitoren e madhe të 11 Majit, ku rezultati i Greqisë ishte shembulli i punës organizative ndër vite”.
Balla bëri të ditur gjithashtu se pas këtij përvjetori, Partia Socialiste do të nisë nesër një fazë të re anëtarësimesh në Greqi, për të rritur pjesëmarrjen e shqiptarëve të diasporës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
“Ndërsa sot festojmë 20 vjetorin, prej nesër çelim një fazë të re anëtarësimesh në Partinë Socialiste këtu në Greqi me objektivin e një pjesëmarrje edhe më të madhe të shqiptarëve të Greqisë në Zgjedhjet Parlamentare 2029. Ndërsa Partia Socialiste, forca më e madhe politike shqiptare, feston këtë vit 35 vjetorin, ne do ta zgjerojmë organizimin tonë në diasporë kudo ku jetojnë shqiptarët. Mirënjohje diasporës”, u shpreh Balla. (A2 Televizion)