“Shqiptarëve nuk ua ha qeni shkopin për politikë”. Rama: Së shpejti, fitojmë pavarësinë e plotë energjetike

Nga A2 CNN
10 Janar 2025, 10:45 | Politikë

Shqipëria është vendi i parë në rajon për prodhimin e energjisë nga panelet diellore, nga privatët dhe bizneset. Kështu tha kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur pyetjes së një komentuesi në rrjetet sociale, i cili kërkonte të dinte nëse do të kishte lehtësira për personat që prodhojnë vetë energji përmes kësaj mënyre.

“Prodhojmë 196 MWh, më shumë se katërfishin e Serbisë dhe 10-fishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Rama. “Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë dhe do të jetë pa diskutim një sukses, sepse siç ndodhi me paketën e parë, interesi është i madh dhe u shterua gjithë financimi, 100%”.

Rama tha se kjo përpjekje, si shumë të tjerë të qeverisë së tij, janë arsyeja pse Partia Socialiste fiton. “Kush e nënvlerëson këtë popull bën një gabim të madh. Ne shqiptarët jemi si të tjerët kur bëjmë të gjithë si trajner futbolli, por po erdhi puna te politika, nuk na e ha qeni shkopin. Shqiptarët dinë të dallojnë mirë atë që bën punë nga ai që prish punë. Dhe për më tepër jeta reale nuk është ajo e rrjeteve sociale”, tha kryeministri.

“Për pak vite vendi fiton pavarësinë e plotë energjetike, ngre flamurin e sovranitetit energjetik duke mbuluar 100% të nevojave me prodhim vendas dhe duke u bërë vend neto eksportues.  PS fiton jo se populli është budalla, por sepse është i drejtë dhe i jep secilit hakun”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos