Pas gati 100 ditësh izolim të burgun e Fierit, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, u vizitua këtë të enjte nga lideri demokrat Sali Berisha.
Me një çantë të mbushur me libra, lideri i opozitës bashkë me numrin dy të Partisë Demokratike, Flamur Nokën, kaluan pragun e burgut të Fierit. Pas më shumë se një ore takim Berisha u tha gazetarëve se izolimi nuk e ka dekurajuar ish-deputetin Ervin Salianji.
“Vendosmëria e tij në këtë betejë është e plotë dhe e palëkundur, Biseduam për vijimin e betejës tonë dhe kjo betejë do të përfundojë kur Fatmir Xhafaj dhe klani Rama të marrim dënimin e merituar”, deklaroi Berisha.
Si për të treguar që nuk është harruar edhe pse në burg, lideri demokrat theksoi se jo më kot çështja Salianji është kryefjalë e rezolutave ndërkombëtare, mbështetëse të kauzës së PD.
“Çështja Salianji është e sanksionuar në 3 rezoluta ndërkombëtare më të fuqishme të votuara për një vend, në të cilën Shqipëria damkoset si narkoshtet, damkoset si shtet i burgosjeve politike, damkoset si një vend ku krimi dhe shteti janë një sipërmarrje e përbashkët”, u shpreh Berisha.
Tregoi edhe njëherë se nuk ka besim te drejtësia.
“Është një mashë e diktaturës, nuk jam unë që e them, por janë tre rezoluta botërore”.
Dhe premtoi vijimin e betejës edhe në emër të demokratit të burgosur, duke deklaruar siguri për fitore më 11 Maj.
“Aq sa mund t’i rezistojë bryma diellit, aq mund t’i rezistojë regjimi vrullit popullor”.
Lideri demokrat e shfrytëzoi këtë vizitë në burgun e Fierit, për të dhënë një mesazh për kushte më të mira për të burgosurit, por edhe për të takuar qytetarët. (A2 Televizion)