Kryeministri Edi Rama zhgënjeu të gjitha ata që mendonin se ai do të bënte publike vendimin për zv/kryeministren Belinda Balluku, imuniteti i të cilës kërkohet nga SPAK.
Edhe pse e pezulluar nga detyrat ai nuk dha një afat për zëvendësimin në qeveri, ndërsa për imunitetin e saj si deputete do të presë raportin e Ulsi Manjës.
Vetë Balluku mungonte në këtë mbledhjet të grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave. Kryefjala e mesazhit të tij në 90 minuta, ishte drejtësia me “padrejtësitë” e pretenduara në shumë procese ndaj pushtetutarëve të majtë.
Edi Rama sulmoi prokurorët që shkelin të drejtat e njeriut me zyrtarë dhe punonjës të administratës duke mos respektuar prezumimin e pafajësisë, dhe me veprimet e tyre kanë cënuar si pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ.
Pasi e fshikulloi, me atributet e “babait” të reformës në drejtësi, Edi Rama mendon se ka gjetur edhe ilaçin për ta “shëruar” sistemin gjyqësor nga problemet e shfaqura deri tani. Mazhoranca e tij po punon për ndryshime të reja në politikën penale.
Edi Rama është i vetëdijshëm që fletarrestet nga SPAK, protestat e opozitës dhe deklaratat e ndërkombëtarëve kanë çoroditur jo pak socialistët. Në këtë takim ai u rikujtoi edhe njëherë që përballë këtyre vështirësive nuk duhet të harrojnë objektivin, anëtarësimin në BE.
Për të treguar që nuk e ka harruar partinë nga ku ka marrë edhe pushtetin, Edi Rama lajmëroi se marsi dhe nëntori do të jenë dy muaj debati dhe ripërtëritje brenda familjes politike, pasi ky vit sipas statutit, forumet do të duhet të hyjnë në një proces zgjedhor. (A2 Televizion)