
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se skandali i AKSHI-t ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe “po kundërmon në mbarë Europën”. Sipas Berishës, në kancelaritë evropiane po flitet për këtë çështje, për shkak të implikimeve serioze të sigurisë.
Ai akuzoi Ramën se ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar dhe kontrolluar jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe çdo të huaj që ndodhet në Shqipëri. “Nga AKSHI janë eksportuar të gjitha të dhënat sekrete të Shqipërisë dhe ato të NATO-s tek organizata kriminale dhe armiqtë e Aleancës Atlantike”, tha Berisha, duke e cilësuar këtë si një dhunim të rëndë të sigurisë kombëtare, rajonale dhe evropiane, shkruan A2 CNN.
Në vijim, Berisha bëri thirrje për protestë masive më 24 janar. “Në orën 17:00 ftoj çdo qytetar të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij”, u shpreh ai. (A2 Televizion)