Statuti dhe drejtimi kolegjial, mesazhet e nënkryetarit demokrat Oerd Bylykbashi

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 17:06 | Politikë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kishte një mesazh të veçantë në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar, duke bërë thirrje për veprime kolegjiale në forcën kryesore në opozite, drejt pushtetit. Kolegjialiteti është një nga kumtet e mëdha të 11 dhjetorit 2021, tha ai dhe një angazhim që duhet përmbushur me çdo kusht.

“Së pari ju falënderoj për mandatin e nënkryetarit që më dhatë me votë në një nga garat më të forta të zhvilluara në PD. Ka qenë nder e privilegj për mua e jam përpjekur ta përmbush më së miri në interes të PD. Sot e rikthej atë mandat tek ju. 5 vite më parë në këtë sallë u miratua një statut që kulmonte përpjekjen për të centralizuar PD. Asfiksia e forcës më të madhe të djathtë ishte vetëm pak hapa larg. Kemi ecur një rrugë të vështirë që atëherë. Periudha nga 9 shtator deri më 11 dhjetor 2021 do të mbeten në histori me dy ngjarje të pashembullta: Foltorja e demokratëve dhe Kuvendi i 11 dhjetorit. Një revolucion politik i pashembullt në Shqipëri dhe rajon, që e shpëtoi Partinë Demokratike dhe ia ktheu atë anëtarëve”, tha ai, përcjell A2 CNN.

“Do mbeten në memorien historike të pluralizmit dhe demokracisë imazhet madhështore të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Bashkë me to, statuti i 11 dhjetorit 2021do të mbetet si monument për të na kujtuar vlerat, idealet dhe parimet  që ngërtheu ajo lëvizje. Statuti përmes të cilit kaloi Rithemelimi dhe Bashkimi i PD. Statuti që i ktheu demokratëve pas shumë mundi, vulën dhe simbolet. Statuti që vuri si gur themeli votën e demokratëve, dinjitetin dhe kolegjialitetin. Një PD me dinjitet, e rithemeluar dhe koherente në vlera e principe e me vizion modern, ngjall besim tek shqiptarët që jetojnë këtu apo në diasporë”.

“Kolegjialiteti është një nga kumtet e mëdha të 11 dhjetorit 2021. Është angazhim që duhet ta përmbushim me çdo kusht. Është rruga nga kaloi rithemelimi, bashkimi dhe duhet të kalojë rinovimi dhe modernizimi i PD. Kolegjialiteti jep mundësi për hapje dhe rinovim, për të afruar zëra të rinj, të bashkoj eksperiencën me energjinë e rinovimit e të prodhojë sinergji, guxim dhe pjekuri në vendimmarrje.

Këshilli Kombëtar që do të dalë sot nga vota juaj duhet të rrezatojë këtë qëllim dhe princip në përfaqësimin dhe vendimmarrjet politike që mandatojnë lidershipin e PD në sfidat që kemi përpara në 10-15 vitet e ardhshme. Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha që sapo mori një mandat të padiskutueshëm, bashkë më Këshillin Kombëtar të ri dhe Kryesinë e re. nga sot marrin mandatin për ta çuar PD në fitore. Mbaroi lufta për mbijetesë e në mbrojtje nga sulmi i egër i Edi Ramës.  Nga sot luftojmë përpara. Nga sot e tutje na duhet të hartojmë vizionin e një qeverisjeje ku besojnë shqiptarët; të një Shqipërie që e beson Diaspora e prandaj do të na votojë ne. Le të bindim shqiptarët me mesazhin tonë, lidershpin që do të projektojmë, me fytyrat që do të përfaqësojnë shqiptarët. Për një Shqipëri të drejtë, që ne do ta fusim në BE. Ky është mandati ynë sot, kjo është sfida jonë, objektivi ynë i fitores. Së bashku si demokratë, bashkë me frontin opozitar ne do të fitojmë patjetër. Faleminderit, suksese dhe fitore!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos