Strazimiri: Shënjestruan drejtuesit e opozitës, më goditën teksa po pija cigare...

Nga A2 CNN
26 Janar 2026, 13:51 | Politikë

Gent Strazimiri, deputet i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se reagimi i policisë “ishte i tepruar” dhe shtoi se liderët e opozitës “u targetuan që në fillim”.

“Unë vetë personalisht jam goditur në trup nga këto predhat e gazit, në momentin që zoti Berisha zbriti nga podiumi. Ne ishim te skena, larg atyre që po godisnin Kryeministrinë. Kështu që, ishin goditje të targetuara ndaj deputetëve. Unë po ju dëshmoj: unë jam goditur duke qëndruar. Unë në atë moment, në fakt, jo vetëm që thjesht po qëndroja, por po dridhja edhe një cigare. Nëqoftëse janë provokuar nga fakti që unë po dridhja një cigare… Isha larg, siç ju thashë. Ishim larg personave që, nga pikëpamja ligjore, do të duhej të neutralizoheshin apo të izoloheshin. Kështu që unë mendoj se këtë veprim mund ta bëjnë vetëm policë që marrin dy rroga, dhe këtë e kemi masivisht në Policinë e Shtetit: marrin dy rroga, një rrogë nga shteti dhe një rrogë nga krimi. Rrogën e shtetit e mbajnë vetëm sepse përndryshe nuk e marrin dot rrogën e krimit”, tha Strazimiri.

“Është tashmë fakt i njohur që në këtë polici që goditi në atë mënyrë liderët e opozitës, deputetët e opozitës, sigurisht edhe qytetarët, fëmijë e gra janë të paktën 900 persona drejtues, të cilët rezultojnë se kanë përdorur Sky ECC, që është një aplikacion ekskluziv i krimit në nivelin e tij më të lartë. Ata persona drejtojnë Policinë e Shtetit, ndërkohë që ne që u targetuam jemi ata që dalim çdo ditë në televizor dhe i përmendim me emra. Kështu që, nga kjo pikëpamje, ky është një sinjal që duhet të na shqetësojë të gjithëve, pavarësisht nëse e duam Partinë Demokratike apo jo”, shtoi Strazimiri.

Kur u pyet nëse opozita mban përgjegjësi edhe për policët e plagosur, deputeti demokrat u përgjigj: “Nuk më rezulton të ketë pasur policë të plagosur. Në spital, sipas informacioneve tona, ka qenë vetëm një polic me dorë të fashuar. Ndërsa pamjet nga Policia tregonin më shumë. Unë e kam drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe kam mjaftueshëm eksperiencën për të kuptuar efektivin që vjen nga terreni dhe ka pasur përleshje. Minimalisht, një polic i tillë bëhet pak pis në uniform minimalisht. Ata në pamje ishin të tërë të rruar, të larë, të padëmtuar dhe thjesht rrinin shtrirë atje. Për fat të mirë, nuk ka patur asnjë polic të lënduar. Qartësisht, ato pamje ishin të sajuara”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos