Arbër Gashi, deputet në Parlamentin e Suedisë, ishte i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, ku theksoi se Suedia dëshiron ta shohë “Shqipërinë në Bashkimin Europian, por duhet të bëhen hapa të mëtejshme sa i përket luftës kundër korrupsionit, lirisë së medias dhe ndërtimit të institucioneve të besueshme dhe solide”.
“Suedia ka qenë falenderuese ndaj mbështetjes së Shqipërisë në përpjekjen për t’u bërë pjesë e NATO-s. Se shpesh i harrojmë këto gjëra. Anëtarësimi i Suedisë në NATO nuk ka qenë aspak i lehtë. Ka patur momente kritike mes Turqisë, Suedisë dhe Hungarisë. Shqipëria ka qenë shumë e saktë dhe kjo gjë është vlerësuar. Qëndrimi i shtetit suedez është i qartë: duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Europian, por duhet të bëhen hapa të mëtejshme sa i përket luftës kundër korrupsionit, lirisë së medias dhe ndërtimit të institucioneve të besueshme dhe solide”, tha Gashi.
“Njëkohësisht, dhe kjo është kërkesë e partisë sime, që të rritet niveli i standardit të jetës së punëtorit të thjeshtë. Po shikoj rritje të pabarazisë, jo vetëm në Shqipëri, dhe kjo duhet adresuar. Nëse jeta e përditshme e një qytetari të thjeshtë në Shqipëri nuk përmirësohet, çfarë na duhet Bashkimi Europian? Këto janë tema që adresohen vazhdimisht”, shtoi Gashi. (A2 Televizion)