"Të hënën bulevardi do gëlojë nga njerëzit"- Deputeti Himçi: Kjo qeveri drejt fundit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 21:29 | Politikë

Blendi Himçi, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, shprehu bindjen e tij se të hënën “bulevardi do gëlojë nga njerëzit”.

“Po t’i shikoni rrjetet sociale sot, të gjithë janë në një reagim të madh. Të hënën do ta shikoni që në shesh do të ketë pafund njerëz. Bulevardi do të gëlojë nga njerëzit. Sa i përket strategjisë, nuk mund ta dekonspiroj si aksion politik. Por, njerëzit do të jenë në numër të jashtëzakonshëm për të protestuar kundër këtij korrupsioni të madh”, tha Himçi.

Deputeti demokrat shtoi se “PD-ja e inkurajon SPAK-un për të hetuar edhe më thellë dhe mos të mbajë dy standarde”.

“Mund ta shikoni fare mirë që ka pasur dy qëndrime. Nuk mundet të fillojë me atë dosje voluminoze dhe ta marrë të pandehur vetëm për shkelje të barazisë në tendera, ku aty ka korrupsion, ka fshehje të të ardhurave… A ka hetim për këtë? Vazhdon të jetë zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës”, deklaroi Himçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos